Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ndarë shqetësimin e ngritur nga Konfindustria për nismën e qeverisë që synon të rritë tarifën e koncesionit të metrologjisë së karburanteve.

Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se përmes “Dekretit nr. 11811, datë 5.11.2020 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 ‘Për metrologjinë’”, që nuk u pranua nga mazhoranca”.

Meta i bën thirrje Qeverisë dhe veçanërisht Ministrisë së Financave, të ushtrojë funksionet e saj publike, larg qëllimeve klienteliste.

Reagimi i plotë nga Ilir Meta:
Ndaj plotësisht shqetësimin e ngritur nga Konfindustria, që i ka bërë thirrje Qeverisë të ndërpresë menjëherë çdo nismë që synon të rrisë tarifat e koncesionit të metrologjisë së karburanteve, që parashikohet t`i kushtojë biznesit dhe qytetarëve 70 milionë euro më shumë, nga vlera prej 140 milionë eurosh e koncesionit.
Për këtë çështje, edhe më herët, jam shprehur qartë përmes Dekretit nr. 11811, datë 5.11.2020 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 ‘Për metrologjinë’”, që nuk u pranua nga mazhoranca.
Për të gjithë ata që duhet të rikujtojnë këtë çështje, po ndaj me ju arsyetimin shoqërues të Dekretit të publikuar dhe në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës:
Gjithashtu kam informuar menjëherë dhe Prokurorinë SPAK, mbi faktet që mund të çonin në evidentimin e përgjegjësive penale për një nismë të tillë. Për kujtesë mund të konsultoheni edhe për këtë fakt në linkun:
Përmes ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”, u krijua hapësira për të:
Ligjëruar ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues;
Mbrojtur konkurrencën e pandershme;
Shkaktimin e kostove shtesë për një shërbim që duhet të kryhet nga shteti i cili nuk mund të heqë dorë nga ushtrimi i përgjegjësive të tij.
Të gjitha në dëm të interesit publik, në cenim të interesave të konsumatorit deri në abuzim me të drejtat e tyre, si dhe në cenim të financave publike.
Për këto arsye, jo vetëm që e gjej të bazuar shqetësimin e ngritur nga Konfindustria, por i bëj thirrje Qeverisë dhe veçanërisht Ministrisë së Financave, të ushtrojë funksionet e saj publike, larg qëllimeve klienteliste, pa negociuar asnjë interes shtetëror publik në dëm të konsumatorëve dhe financave publike.