Deputeti Fatmir Mediu thotë se opozita duhet të kishte dalë me një kandidaturë të vetme, dhe të përbashkët në raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit të ri.

Mediu tha sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se opozita e ka për detyrim ta bëjë këtë gjë në raundin e tretë, në të kundërt, nuk duhet të bëhet pjesë e një procesit fars, siç e quajti ai.

Dua t’i bëj thirrje opozitës, ka ardhur koha të dalë me një kandidaturë të vetme. Ne duhet të kishim çuar dje një kandidaturë, dhe duhet të çojmë një kandidaturë në raundin e tretë. Nëse nuk e çojmë një kandidaturë të mos bëhemi pjesë e një procesi fars.

Ne kemi një element kushtetues dhe një element shtesë për atë çka duam ne për presidentin. Kemi ngelur vetëm të flasim në media, dhe aspak me njëri-tjetrin për të qenë racionalë në zgjidhjen tonë. Kemi detyrim të dalim me një kandidaturë”, u shpreh Mediu.