Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të pezullojë hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë për fatin e Dacit, anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Luan Daci u dënua nga Gjykata e Posacme me 6 muaj burg, denim i cili u perkthye ne 12 muaj shërbim prove, me SPAK që në fakt kishte kërkuar një vit burg.

Luan Daci u pezullua nga detyra në 20 maj të vitit 2020 dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion pasi u akuzua qe fshehu të kaluarën e tij duke gënjyer për një shkarkim nga detyra si i paaftë në vitin 1997.

Mirëpo Gjykata e Posaçme e Apelimit vendosi të heqë masën e pezullimit për gjyqtarin Luan Daci, duke bërë që ky i fundit të rikthehet në detyrë si anëtar i Kolegjit të Posacëm të Apelimit. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, paraqitja e të dhënave të rreme në procesin e aplikimit për një post në institucionet e vetingut nga Daci, nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit.

SPAK nuk bie dakord me këtë vendim të Gjykatës së Posacme të Apelit, prandaj dhe vendosi t’i drejtohet Gjykatës së Lartë. Prokurorët e SPAK pretendojnë në rekursin e bërë përpara Gjykatës së Lartë se Apeli nuk ka marrë parasysh vlerën që pati dokumenti i aplikimit në procesin e përzgjedhjes së Luan Dacit, në kundërshtim me kriteret ligjore.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi një procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Daci, por KPA ka vendosur që ta pezullojë këtë hetim disiplinor dhe të presë vendimin e Gjykatës së Lartë për fatin e Luan Dacit.

Njoftimi:

Pas regjistrimit në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor të çështjes (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa kryesuese e Komisionit Disiplinor u caktua gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtare, gjyqtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Gjyqtari hetues i çështjes Ardian Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme në lidhjen me çështjen (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, bazuar në nenin 128, paragrafi 2, germa “b” e Kushtetutës; nenin C, pika 16 e Aneksit të Kushtetutës; nenet 5, pika 3, germa “a”, dhe 17 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë; nenin 1, pika 2 e ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nenin 297, germa “a” e Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

Pezullimin e hetimit disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtarit Luan Daci, për shkelje disiplinore të parashikuar në nenin 128, pika 2, germa “b” e Kushtetutës, deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë mbi ankimin e gjyqtarit Luan Daci, ndaj vendimit nr.5, datë 08.03.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Të njoftohet me këtë vendim gjyqtari nën hetim disiplinor Luan Daci, përfaqësuesit e ONM-së dhe Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit, për zhvillimin e procedimit disiplinor.

fax