Në një dalje për mediat nga Elbasani, ku u takua me krerët e listave të partive politike, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim është shprehur se, kjo javë është e rëndësishme pasi partitë politike dorëzuan listat në KQZ.

Por diplomatja u rikthye edhe një herë te mesazhi i saj i kahershëm për listat të pastra dhe pa personazhe me rekorde kriminale apo korruptive.

“SHBA-të kanë qenë shumë të qarta lidhur me pritshmëritë për kandidatë të pastër. Është thelbësore që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësitë që listat e tyre të jenë në përputhje me ligjin shqiptar duke marrë në konsideratë të gjitha ato përcaktimet të bëra nga SHBA, të cilat kur merren si vendime nuk merren lehtësisht.

E di që disa njerëz mund të thonë “ai është përcaktuar nga SHBA por nuk është i dënuar” por njerëzit me logjikë të thjeshtë do ta kuptonin kjo është një evidencë ku nuk mungojnë faktet por për shkak të boshllëqeve në ligjin shqiptar. Kjo nuk ka të bëjë me faktin se SHBA pëlqen dikë ose nuk pëlqen dikëNëse Sekretari i Shtetit ka përcaktuar, në bazë të hulumtimeve dhe informacioneve se ky person përbën kërcënim për sigurinë e SHBA dhe ka ardhur koha që votuesit shqiptarë të mendojnë nëse do të përbënte rrezik edhe për sigurinë e Shqipërisë”.

Sipas saj pritshmëritë e SHBA janë të qarta: lista të pastra dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ndërsa shtoi se është detyra e KQZ të shikojë listat e kandidatëve.