Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe më herët ofensiva e ushtrisë ruse në Ukrainë është zhvendosur në pjesën lindore të vendit. Luftime të ashpra janë regjistruar gjatë ditës së hënë në rrethinat e Mariupolit.

Separatistët pro-rusë deklaruan në orët e pasdites, se qyteti portual tashmë ishte në kontrollin e forcave ruse, gjë që u mohua menjëherë nga Kievi zyrtar.

Ushtria ukrainase bëri me dije se është duke bërë një qëndresë të fortë në Mariupol, pavarësisht se disa raportime të më hershme deklaruan se lufta ishte pranë përfundimit.

“Beteja për Mariupolin vijon”, tha zv/kryebashkiaku Serhiy Orlov, në përgjigje të interesit të mediave të huaja.

Mariupoli ka qenë një ndër qytetet që ka vuajtur më shumë agresionin rus që prej nisjes së tij më 24 shkurt dhe autoritetet ukrainase deklarojnë se numri i civilëve të vrarë është shumë i lartë, pa llogaritur këtu dhe dëmet.