Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit të PD-së, i cili sipas saj e ka bërë detyrën e tij “në të mirë dhe në të keq”.

Tabaku tha në një prononcim për mediat, se nuk është në dijeni të zhvillimeve brenda grupit të Sali Berishës, për mbledhjen e firmave për shkarkimin e Alibeajt. “Mua nuk më ka thirrur njeri”, u shpreh ajo.

Në media është raportuar se deputeti Ervin Salianji ka mbledhur tashmë 20 firma për shkakrimin e Alibejat nga kreu i grupit të PD-së, pasi ky i fundit përjashtoi katër deputetë demokratë.

“Besoj që të gjithë me keni ndjekur në diskutimet e mija, në një vit e gjysmë. Mua nuk më ka thirrur kush për mbledhje grupi, dhe nuk kam dijeni, po mblidhen firma, s’po mblidhen firma. Unë kam një qëllim ta bëjmë PD-në forcë fituese. Më vjen keq që opozita sot është më pak e besueshme nga opozita. Unë për këtë do punoj çdo ditë, të kemi një qëllim kryesor që është mundja e PS. Nuk mendoj dhe nuk kam menduar asnjëherë që PD duhet të arrijë në këtë pikë. Ka një kryetar grupi që unë mendoj se në të mirë dhe në të keq e ka ushtruar detyrën e tij. Nuk mendoj se është kjo mënyra se si bashkohet PD”, deklaroi Tabaku.