Rritja e problematikave të shikimit në vitet e fundit ka detyruar ekspertët e shëndetësisë që të hartojnë një program kombëtar për kontrollin e syve, duke nisur nga dita e parë e lindjes e deri në moshën 18-vjeçare. Mjekët okulistë thonë se rastet e personave që kanë vënë syzet së fundmi janë rritur, ndaj kapja e hershme problematikave ndihmon në ruajtjen e shikimit.
“Po bëhet si emergjencë diagnostikimi dhe kapja sa më herët e problemeve të shikimit tek fëmijët. Dikur ne e shikonim në parashkollor, tani po bëhet emergjencë për t’u bërë më përpara, që tek bebet…”
Por krahas kontrolleve të programuara, mjekët apelojnë që edhe prindërit duhet të jenë vigjilent.
“Momentin që shikojnë që fëmija i tyre ka devijim të syve të drejtohen menjëherë tek mjeku. Të diagnostikojmë herët që të parandalojmë amliopinë, që mos vijnë 18 vjeç për të bërë testin për patentë dhe të kuptojnë se ky fëmijë nuk shikon nga njeri sy”.
Programi parashikon kontrolle që nga dita e lindjes që kryhet nga mjeku neonat, për të vijuar me kontrollin nga mjeku i konsultorit në muajin e 6 të lindjes, më pas në moshën 4-vjeçare nga mjeku pediatër dhe nga mosha 6 deri në 18 vjeç do të kontrollohen nga mjekët e shkollave.