Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurit Rinor Hykollit, i njohur në publik si menaxheri i Taynës. Ndaj tij rëndon akuza e lëndimit të rëndë trupor.

Kujtojmë se ai u ndalua nga policia pas një konflikti në një klub në Gjilan.

“I pandehuri Rinor Hykolli, më 22 Korrik 2021 rreth orës 00:40 minuta në diskotekën “Stop”, në Gjilan me dashje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar trajtim mjekësor”, thuhet në aktakuzë.

Nga data 3 tetor, Hykolli gjendet nën masën e paraburgimit dhe së fundmi është propozuar që t’i vazhdohet sërish masa e paraburgimit.

Kujtojmë se më herët, sipas Gjykatës Themelore të Gjilanit, Hykolli dyshohej se në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh., pas një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit, dyshime që tanimë janë kthyer në akuza.

Njoftimi i plotë nga Gjykata Themelore e Gjilanit:

“Caktohet masa e sigurisë ndaj të pandehurit R. H. Gjilan, 05.10.2021 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit R.H.

Ekziston dyshimi se me datë 22 korrik në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh, në diskotekën ‘’Stop’’ në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L. B, në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën, ku për shkak të lëndimeve i njëjti është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Me këto veprime, i pandehuri R.H dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehuri nga data 24.07.2021 deri më datë 04.10.2021 ka qenë në arrati, duke i’u shmangur organeve të drejtësisë, në atë mënyrë që ishte fshehur edhe përkundër faktit se kishte qenë në njohuri se ishte në kërkim nga zyrtarët policorë.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”.