Edhe përgjatë kësaj të mërkure Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi parashtrimin e drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, në cilësinë e subjektit të rivlerësimit.

Në shkallën e Apelit të këtij organi të vetingut, prokurorja Imeraj shtjelloi argumentet e saj mbrojtëse në lidhje me ankesat e Komisionerit Publik, të cilat bazoheshin në denoncimin e një personi anonim për përfshirjen e ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit të saj në dosje penale.

Mes të tjerave Imeraj ka deklaruar se këto denoncime anonime mundtë futen nga njerëz dashakeqës, apo nga ata që nuk e duan prokuroren në detyrë, se mund të ketë cenuar interesa të paligjshme ekonomike apo kriminale, gjatë ushtrimit të detyrës.

Pas 6 orëve seancë, u vendos që vendimi përfundimtar nëse Imeraj do të përjashtohet ose jo nga sistemi i drejtësisë, do të jepet në datën 27 prill, ora 15:00.