Home AKTUALITET Protesta e 8 Janarit/ Të arrestuarit dalin sot para Gjykatës

Protesta e 8 Janarit/ Të arrestuarit dalin sot para Gjykatës

4

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest në shtëpi” për katër nga personat e vënë në pranga pas protestës së 8 janarit në Selinë Blu.

TIRANË– Ditën e sotme do të dalin para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë 34 personat e arrestuar në protestën e 8 janarit të thirrur nga Sali Berisha kundër kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest në shtëpi” për katër nga personat e vënë në pranga pas protestës së 8 janarit në Selinë Blu.

Po ashtu, mësohet se për 30 të tjerë është kërkuar “detyrim paraqitjeje”. Të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, për të verifikuar personat që kanë hyrë e dalë nga PD, para dhe pas protestës, pasi ka dyshime se persona të armatosur kanë qenë prezent dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të policisë.

Prokuroria është në hetime e sipër se çfarë lënde u përdor në selinë e Partisë Demokratike. Në dosje thuhet se policia kishte informacion një ditë më parë se në selinë blu do të kishte përplasje. Policia e Shtetit ka patur informacione të ndryshme se mes mbështetësve të të dyja kampeve do të kishte perplasje, për këtë arsye është mobilizuar, për shkak të fotos që po qarkullonte online të disa të rinjve me kapuça.

Çfarë ndodhi mes palëve më 8 Janar?

Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me ata të Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim. Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara. 34 persona u vunë në pranga, 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura në Selinë e Partisë Demokratike. Mes tyre është edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi e deputeti Flamur Noka. Vetë Basha e ish-kryeministri Berisha do të merren në pyetje nga prokuroria në lidhje me ngjarjen në fjalë.

(a.b)/dosja.al