Home AKTUALITET Mbyllet Teatri Kombëtar, dy aktorë infektohen me Covid-19

Mbyllet Teatri Kombëtar, dy aktorë infektohen me Covid-19

8

COVID-19 mbyll Teatrin Kombëtar. Mësohet se dy aktorë kanë rezultuar me COVID-19, teksa të tjerë janë të dyshuar. Lajmi bëhet i ditur nga Teatri Kombëtar, i cili njofton se pezullohen të gjitha aktivitetet deri në një njoftim të dytë duke parë dhe rritjen shqetësuese të infektimeve kohët e fundit.

Po kështu, të gjithë punonjësit që, për shkak të funksionit të tyre, kanë kontakt me publikun do t’i nënshtrohen testimit. Biletaria do të qëndrojë e mbyllur deri ditën e hënë, datë 17 Janar 2022.

Sipas TK, ata që posedojnë bileta për shfaqjet e datave 13-14-15 dhe/ose 16 janar mund të rimbursohen, ose bileta e tyre do të jetë e vlefshme për shfaqjen “Coriolanus” në momentin e parë që do të rikthehet në skenë.

NJOFTIMI I PLOTË
Të dashur miq,

Duke marrë në konsideratë rastet e konfirmuara të dy prej aktorëve protagonistë në produksionin “Coriolanus”, rritjen shqetësuese të infektimeve kohët e fundit, numrin e madh të aktorëve të angazhuar në këtë produksion, si dhe dyshimet për raste të tjera në stafin e Teatrit Kombëtar, jemi të detyruar të pezullojmë të gjitha aktivitetet tona deri në një njoftim të dytë.

Pavarësisht zbatimit të masave dhe protokolleve të miratuara kundër përhapjes së infeksionit dhe dëshirës sonë të mirë, e kemi të pamundur të vijojmë me aktivitetet tona artistike pa rrezikuar shëndetin e publikut, aktorëve dhe stafit tonë, e për këtë arsye shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.