Nesër në qytetin e Burrelit pritet të mbahet një protestë aspak e zakontë në fakt për vendin tonë, teksa mësohet se disa gra shtatzëna do të dalin të protestojnë, pasi prej disa kohësh tashmë në spitalin e qytetit nuk ka një mjek gjinekolog dhe ato nuk kanë se me kë ti kryejnë konsultat e tyre gjinekologjike.

Sipas njërës prej grave protestuese, Mirela Malkja, duke folur për ‘Fax News’ është shprehur se mjeku është larguar që prej katër javëve tashmë, ndërsa në spital u kanë thënë të prisni dhe pak, por sipas saj tashmë kanë kaluar shumë kohë dhe janë disa gra shtatzëna që kanë nevojë për këto konsulta, pasi jo të gjitha kanë mundësinë të shkojnë në spitale private, për shkak të kostove të lartë e të papërballueshme.

“Shumica e grave shkojnë për ti kryer konsultat ose për të lindur në spitalin e Lezhës apo të Rrëshenit, por edhe këtu dërgohen ato raste më urgjente. Në Tiranë nuk nisen dot, sepse atje nuk pranohen pa një konsultim të mëparshëm.”, shprehet znj. Malkja.

Ndërkohë, e pyetur për mungesën e mjekut në spitalin rajonal, ajo u shpreh se thuhet se atij i është ofruar një kontratë pune 6-mujore, ndërsa ai e ka dashur pa shkëputje dhe kjo flitet të ketë shkaktuar këtë situatë.

“Ne jemi drejtuar edhe në Tiranë, edhe Ministrisë së Shëndetësisë, e-mailet nuk funksionin, telefonat nuk i hapin dhe as më pak ti përgjigjen letrave tona. Në protestë do jemi rreth 5 gra, por që shpresoj që kjo kauzë të shkojë deri në fund deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare.”

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Ffaxnews.tv%2Fvideos%2F4675492405813850%2F&show_text=false&width=560&t=0