Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha janë mbledhur pasditen e së hënës përpara Selisë Blu nga ku do të marshojnë më pas drejt Kryeministrisë në protestën e paralajmëruar kundër vizitës së presidentit serb Aleksander Vuçiç në Tiranë.

Pamjet nga PD tregojnë grupin e njerëzve të mbledhur që në orën 16.00 pritet të nisen drejt Kryeministrisë. Ndërkohë mbështetësit e Sali Berishës kanë lënë një pankartë në hyrjen e selisë blu me mesazh edhe ndaj SHBA-së “Mbahu Vietnam, kujdes spiunët”.

Protesta e ditës së sotme, të cilën Berisha e ka cilësuar si historike, thuhet se mbahet në mbrojtje të interesit dhe pasurisë kombëtare. Pritet që gjatë këtij organizimi, folës të jenë Aldo Bumçi, Melihate Termkolli, Bujar Nishani, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Megi Balliu, Ylli Manjani, Tritan Shehu dhe Sali Berisha.