Zv. Kryeministri Erion Braçe teksa ka mbajtur fjalën e tij në çeljen e fushatës elektorale për Zgjedhjet e 25 Prillit, është shprehur se PS do të fitojë mandatin e tretë.

Braçe ndër të tjera është shprehur se Partia Socialiste është si shtëpia e tij, ku erdhi si djalë i ri ndërsa tani është bërë burrë.

Ndër të tjera Braçe kreun e qeverisë Edi Rama ai e cilësoi si vëlla dhe si një punëtor si të gjithë shqiptarët.

“Kur po hyja pak më parë, më shkoi mendja, zemra, shpirti tek të gjithë ata shqiptarë dhe të rinj që nuk ia dolën dot në një betejë që prej muajsh është betejë e secilit prej nesh. Shpirti i tyre të prehet në paqe. Ata nuk ia dolën por ne jemi këtu për t’i dalë edhe për ta.

Do e çojmë deri në fund betejën për jetën. Një mandat nuk është një trofe, nuk është histori por një kontratë pune me secilin prej jush. Kjo është diferenca dhe diferenca vjen nga puna. Puna me nder dhe me zemër ka ndryshuar Shqipërinë. Kjo punë ka ndryshuar Fierin, Lushnjen, Mallakastren, Rroskovecin. Ne punën kemi, Asgjë tjetër përveç saj. Thonë që është premtim i lodhur , por uji është jetë dhe shëndeti. Dhe shëndeti i parë.

Prandaj ujë 24 orë është e para punë që po bëjmë dhe do e çojmë deri në fund. Bujqit njerëzit e zakonshëm në Fier janë njerëzit tanë me të cilët ne punojmë. Janë ata që mbajtën Shqipërinë me ushqim. I përulem çdo bujku sot. Puna e mirë për bujqit, të ardhurat e tyre janë ekonomia e çdo familjeje atje. Janë ekonomia e çdo shqiptari kudo ku është. Projekti ynë i turizmit nga Shkumbini deri në Nifol është projekti që do i japë Shqipërisë sekretin e fundit të Adriatikut.

Nga Divjaka deri në Nifol nuk do tjetërsohet asnjë metër vijë bregdetare në shërbim të pushtetarëve apo presidentit siç më herët tjetërsuan Lalëzin, Qerretin. Të vijnë për të pushuar por kurrë për të tjetërsuar pronat. Nga 1 Janari kemi në fuqi ligjin e ri që tokën në përdorim e kthen në pronësi dhe çdo bujk e bën pronar dhe zot të asaj toke. PS është shtëpia ime.

Kam hyrë djalë dhe jam burrë në atë shtëpi. Për të duhet të votoni, për PS. Edi Rama është një mik, një shok, për mua është një vëlla. Unë e çmoj shumë që më ka dhënë lirinë. Është një liri që e meriton çdo shqiptar, Edi Rama është një punëtor i zakonshëm si të gjithë ju. Kam një thirrje për Fierin që është ekonomia e dytë më e madhe e Shqipërisë dua votë për secilin nga Gramoz Ruçi deri të Lindita Buxheli”, u shpreh Braçe.

Top Channel