Nga Andi Bushati

Edi Rama është futur në një spirale manipulimesh, për të përligjur atë që duan urgjent dhe me çdo kusht në Beograd: themelimin e një asocacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në fillim të qershorit, ai bëri çështë e mundur për të vënë këtë çështje në epiqendër të konfliktit të rindezur në komunat e veriut. Ai pretendosi se ka hartuar një draft sekret, për formën dhe modalitetet që duhet të përfshijë ky asocacion. Për ta shtyrë përpara këtë ide, që përkonte me qëllimin e Vuçiçit për ta reduktuar gjithë marrëveshjen me 11 pika të projektit franko gjerman, vetëm tek asocacioni, kryeministri u detyrua të bëjë disa hapa fallco.

Le të mos përmendim këtu faktin se asnjë lider serioz shteti, nuk shpall para publikut projekte për zgjidhjen e krizave, duke deklaruar njëkohësisht se thelbi dhe hartuesit e draftit duhen mbajtur sekret. Besoj se nuk ka një rast të dytë të sjelljes politike:”e kam…, po s’jua tregoj”. Le të harrojmë për një çast edhe faktin se lideri ynë propozon një draft kompromisi, pa e konsultuar atë me asnjërën nga palët dhe për më tepër pa u marrë vesh paraprakisht me Prishtinën. 

Por, pa marë parasysh këto shkarje, Edi Rama është detyruar të prodhojë një mori gënjeshtrash, hiperbolash dhe spekulimesh për të përligjur misionin që ka marë përsipër. Sjellja e tij të shtyn të dyshosh se atij i’a kanë lënë projektin e asocacionit në dorë, duke e detyruar ta shpallë botërisht atë. 

Manipulimi i parë. Ditën që pohoi se ka në duar një draft për asocacionin që, do i’a dërgonte presidentit Makron dhe kancelarit Sholz, kryeministri e pompoi atë me një iluzion të rremë. Ai tha se zgjidhja e kësaj nyjeje gordiane do ti hapte rrugën pranimit të Kosovës në OKB dhe njohjes përfundimtare nga Serbia. 

Pra ai arriti deri aty sa të premtonte gjëra me të cilat. jo vetëm nuk ka lidhje Tirana, por janë të vendosura t’i pengojnë Beogradi, Moska dhe Pekini. Kurrë deri më tani shteti serb nuk ka pranuar ta njohë në asnjë skenar Kosovën, madje udhëheqësit e atjeshëm, përfshirë dhe Vuçiçin mburren se nuk do ta bëjnë kurrë këtë. Rusia dhe Kina si protektore të Serbisë me veto në Këshillin e Sigurimit nuk e kanë evokuar kurrë këtë hipotezë. Po atëhere pse Rama lëshon broçkulla që nuk varen prej tij?

Manipulimi i dytë. Gjatë një konference shtypi në kryeministri, shefi i qeverisë e stigmatizoi qasjen e Albin Kurtit për të refuzuar çdo plan të inspiruar nga Serbia si një mundësi tw hummbur për të arritur marëveshjen. Ai mori për shembull filmin biografik, ‘Golda”, për rolin e ish kryeministres izraelite, Golda Meir, në luftën e Kippurit (1973) mes arabëve dhe Izraelit. Shiheni atë film dhe vëreni fytyrën e Sadatit kur u detyrua të nënshkruajë paqen i’u drejtua ai gazetarëve. Por, ndonëse Rama përmendi emrin e aktores Helen Mirren, ndonëse ai i referohej ish presidentit egjiptian Anouar Sadat, njohuritë e tij  kinematografike nuk e justifikonin dot paralelelen që bëri me Kosovën. Pretendimi se kur humbet rastin për të nënshkruar një marëveshje më të mirë, të vjen më pas një më e keqe, nuk kishte pikë lidhje, as me kontekstin e luftës së Kippurit, kur paqja u nënshkrua pas disfatës, as me aktualitetin kosovar, kur nuk janë shqiptarët ata që kanë sulmuar Serbinë. Thjesht krahasimi qe një bllof.

Dhe ky prioritet bëhet gjithnjë e më urgjent tani pas njarjeve në Banjskë ku shumë zëra ndërkombëtarësh kanë filluar të ngrejnë pyetjen se “a është pikërisht ky momenti për t’i dhuruar profileve kriminale si Radoiçiçi një influencë më të madhe mbi serbët lokalë”. 

Fiks në këto çaste, kur mund të hapet diskutimi mbi zbrapsjen e këtij obsioni, Rama këmbëngul ta bëjë atë prioritar. Për qëllimin që e shtyn, spekullimet është i lirë t’i bëjë gjithkush. Por ama një gjë është e sigurtë. Me sa duket edhe ai vetë është i bindur se ka diçka që çalon, pë deri sa rreket ta kompensojë idenë që mbështet me një varg manipulimesh të ulëta./Lapsi.al/