Erjon Muça, ekspert i punësimit në një lidhje Skype për emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News foli për gjendjen e tregut të punës në vend.
I pyetur se pse të rinjtë në vend po largohen masivisht dhe shumë sektorë kanë mungesa të theksuara të punonjësve, Muça tha se ata kanë dy arsye: së pari pakënaqësi në pagë dhe së dyti sepse ajo që u ofrohet nuk përputhet me formimin e tyre.
“Momentalisht përgjigjia ime duhet të jetë paraprakisht arguentuese për të dalë te ajo se a ka shpresë tregu vendas për punë, për t’u rikuperuar apo për të marrë veten. Lidhur me mundësitë dhe hapësirat që ofrohen dhe në raport me prirjet apo tendencat apo preferencat e punonjësve për pozicionet e punës kemi një hendek që kërkon një ndërhyrje shumë urgjente nga disa drejtime me qëllim që ne të kuptojmë realisht çfarë po ndodh dhe të marrim masa për të parandaluar më të keqen e mundshme që është braktisja masive e vendit dhe kthimi i Shqipërisë në një vend të papreferueshëm për investime strategjike, si rrjedhojë e mungesës së burimeve njerëzore në këtë rast.
Shpresa jonë, fati i tregut të punës është i tillë që ende ka hapësira për tu zhvilluar dhe për tu përmirësuar, por duhet një sensibilizim i gjithanshëm, duke hartuar një plan konkret, në formatin e një manuali, për një ofertë kombëtare që do të rilindte shpresën tek të rinjtë dhe të rriste atraksionin e tregut vendas, përmes promovimit të sektorëve të ndryshëm. Ka një pjesë që qëndrojnë të papunë, të dekurajuar, kjo sepse ajo çfarë u ofrohet s’është as në përputhje me fushën e tyre të synimeve apo interesin e tyre, paga e së cilës që i ofron minimalisht mbijetesën duke marrë parasysh këto ritme të frikshme të inflacionit.
Së dyti, arsyeja pse një pjesë e të rinjve enden në kafe është sepse sfidat e punëve që u ofrohen nuk janë në përputhje me nivelin e formimit të arsimit dhe eksperiencës që ata kanë. Të rinjtë qëndrojnë në kafe sepse nuk kanë optimizëm për tu integruar në tregun e punës, ku të shohin përmirsime në mënyrë që tu zgjohet interesi”-u shpreh Muça ndër të tjera.