Partia Demokratikeduket se ka marrë seriozisht pjesën e zhvillimit të primareve për kandidatët, të cilët synojnë të garojnë në zgjedhjet lokale e 14 majit.

Selia blu ka caktuar 6 nëntorin si afatin e fundit për kandidatët, që do hyjnë në primare  për bashkinë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Partia Demokratike thekson se pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim tjetër pasi dokumentacioni do t’i vihet më pas në dispozicion Kryesisë së PD-së, e cila do të bëjë vlerësimin e kandidatëve.

Në udhëzim, i cili mban datën e sotme, PD-ja thotë se degët duhet të marrin të gjitha masat për të njoftuar kandidatët e interesuar.

Ky hap i PD-së vjen disa orë pasi Sali Berisha dhe Ilir Meta firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit , në kuadër të zgjedhjeve lokale të 2023.