Mesfushori polak Nicola Zalewski, 19 vjeç, u shfaq në një video skandaloze që aktualisht po qarkullon në rrjetet sociale, në të cilën përmendet trajneri i tij tek Roma, Jose Mourinho.

Zalewski shihet në video së bashku me reperin italian Zepa Dembo, i cili i dërgoi një mesazh drejtpërdrejt ekspertit portugez.

“Të them të drejtën, ky djalë do “thithë” pak sonte (e ka fjalën për drogë). Mourinho, ne do thithim pak sonte. Do e bëjmë,” tha Dembo.

Talenti i Romës vetëm qeshi dhe videoja u postua në profilin në Instagram të reperit italian (ndoshta ka qenë një shaka dhe nuk kanë menduar se mund të sillte pasoja).

Dembo e hoqi shpejt videon nga profili i tij, por ishte tepër vonë, pasi video ishte bërë virale në rrjetet sociale.

Kujtojmë, Zalewski doli nga akademia e të rinjve të Romës. Ai luajti rregullisht për të gjitha grupmoshat dhe verën e kaluar iu bashkua ekipit të parë, me të cilët ka luajtur dy ndeshje këtë sezon.

Zalewski bëri debutimin me ekipin kombëtar polak muajin e kaluar.