Apple dëshiron që t’i rikthehet me hapa të ngadaltë jetës si para pandemisë, duke bërë rikthimin e punonjësve në zyra. Kompania po planifikon që të aplikojë një plan hibrid për rikthimin në zyra, ku punonjësit do të duhet të paraqiten duke filluar nga data 11 prill të paktën 1 herë në javë, 2 herë në javë nga 2 maji dhe të paktën 3 ditë në javë pas 23 majit.
Këto 3 ditë do të jenë e hëna, e marta dhe e enjtja, ndërkohë që punonjësit do të mund të punojnë nga shtëpia ditën e mërkurë dhe të premte.
“Për shumicën prej jush e di se rikthimi në zyra përfaqëson një shenjë pozitive të shumëpritur të ku ne do të mund të bashkëpunojmë me kolegët tanë që luajnë një rol kaq të rëndësishëm në jetët tona.” tha CEO i Apple, Tim Cook, në një memo drejtuar punonjësve.
Apple po mendonte kthimin në zyra të punonjësve që nga muaji shkurt i këtij viti, mirëpo planet u shtynë për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19. Tashmë që numrat e të infektuarve kanë rënë ndjeshëm, Apple do të përpiqet që të rikthejë punonjësit në zyra.
Gjatë gjithë kësaj kohë punonjësit e Apple kanë punuar nga shtëpia, dhe disa prej tyre dëshirojnë që kjo gjë të vazhdojë, por kompania ka plane të tjera. Dhe Google ka deklaruar se do të kërkojë rikthimin e punonjësve në zyra duke filluar nga data 4 prill.