Ministri belg i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne është vënë nën mbrojtje të shtuar policore dhe tre të dyshuar janë arrestuar në Holandë pas një “kërcënimi” ndaj zyrtarit, njoftoi të shtunën zyra e prokurorit federal.

Sipas të përditshmes flamande Het Laatste Nieuws, “të paktën” një pushkë sulmi dhe shishe të mbushura me benzinë u zbuluan brenda një automjeti të regjistruar në Holandë, të parë pranë shtëpisë së ministrit.

Zyra e prokurorisë federale belge tha në një deklaratë për shtyp se tre persona janë arrestuar gjatë natës nga e premtja në të shtunën në Holandë.

Burrat janë të gjithë shtetas holandezë, të moshës 20, 29 dhe 48 vjeç, sipas zyrtarëve. Është kërkuar transferimi i tyre në Belgjikë.

“Unë dhe familja ime jemi të sigurt. Lufta jonë kundër krimit të organizuar vazhdon. Me më shumë fuqi punëtore dhe burime se kurrë. Ne kurrë nuk do t’i përkulemi dhunës”, shkroi z. Van Quickenborne në Twitter.