Lufta në Ukrainë është në ditën e 64 dhe kërcënimet verbale të Putinit vijojnë. Putin ashpërsoi sërish tonet dhe zgjeroi në mënyrë dramatike gamën e kërcënimeve të tij. Presidenti rus iu drejtua drejtpërdrejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, kur tha se perëndimi dëshiron të copëtojë Rusinë, por Moska do t’i rezistojë çdo përpjekjeje për ta izoluar atë.
Nga Shën Petersburgu ai paralajmëroi:
“Ne do t’i realizojmë të gjitha objektivat në Ukrainë. Nëse dikush nga jashtë synon të ndërhyjë, ata duhet të dinë se do të ketë një përgjigje dhe do të jetë e shpejtë. Ne kemi mjete që askush nuk i ka dhe do t’i përdorim nëse është e nevojshme. Dua që këtë ta dinë të gjithë”.
Dje Moska ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë për shkak se kompanitë energjetike të dy vendeve nuk pranuan të paguanin në rubla, siç kërkoi Moska.
Por përpos pasojave ekonomike, sulmet ndaj Ukrainas po shkaktojnë pasoja të rënda te njerëzit. SHBA thotë se ka marrë raporte që dokumentojnë ekzekutimet e njerëzve me duar të lidhura, torturat dhe dhunën seksuale ndaj grave dhe vajzave.
“Këto raporte sugjerojnë se mizoritë nuk janë rezultat i veprimeve individuale, por një model shqetësues i abuzimit sistematik në të gjitha zonat ku forcat ruse janë të angazhuara,” tha Van Schaak, ambasadorja e përgjithshme për drejtësinë penale në OKB.