Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me masën me “Detyrim paraqitje” për Ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta e quan vendimin e drejtësisë si të paligjshëm dhe antikushtetutes.

Sipas Metës këto veprimet janë thjesht e vetëm për të tërhequr vëmendje prej korrupsionit dhe përgjegjësive shumë të rënda dhe personale të Edi Ramës.

Kryeministri, sipas Metës, ka për qëllim shantazhimin dhe intimidimin e opozitës e cila po denoncon me këmbëngulje korrupsionin mafioz qeveritar.

Postimi i Metës në FB:

Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës.

Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe.

Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë.