“Reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme kur të mos mendojmë se është e përshtatshme kur drejtuesit politikë në pushtet ose jo të thonë se drejtësia shërben se kur tjetri shkon në burg apo që drejtësia nuk jepet kur nga ana ime përfundon në burg”, ishte ky reagimi i para pak ditësh i ambasadores amerikane në Shqipëri për të cilën u pyet ditën e sotme gjatë konferencës për mediat kryeministri i vendit Edi Rama.

Pyetjes së gazetares se këtë qëndrim të ambasadores amerikane Yuri Kim, a e quan një leksion në gjuhë të huaj, kryeministri Rama i është përgjigjur se është shumë dakord me ambasadoren, teksa ka shtuar se adresa ka shkuar gabim sepse siç e thekson ai nuk është Rama që thotë se këtu drejtësia gabon.

Elja Zotka: E quani ju leksion në gjuhë të huaj këtë qëndrim të ambasadores amerikane: Reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme kur të mos mendojmë se është e përshtatshme kur drejtuesit politikë në pushtet ose jo të thonë se drejtësia shërben se kur tjetri shkon në burg apo që drejtësia nuk jepet kur nga ana ime përfundon në burg?

Edi Rama: Unë jam shumë dakord me këtë, jam pikë për pikë dakord me këtë, thjesht adresa është gabim sepse nuk jam unë ky që them që këtu drejtësia po gabon sepse po vjen nga ana ime, unë po them të kundërtën se ashtu si po vjen në anën tonë, të shkon në çdo anë. Ne duam një drejtësi 360 gradë, nuk duam një drejtësi të pjesshme dhe të njëjanshme. Unë jam shumë dakord me ambasadoren amerikane. Flas për ndërhyrje, për presion, këtë nuk ma thotë mua dot askush në asnjë gjuhë, fare. Siç mua nuk më thotë dot askush që unë ndërhyj në punët e shtypit apo që këtu ka problem me shtypin, nuk i pranoj fare zero. Le ta shkruajnë, nuk më intereson fare, unë them timen, pastaj të tjerët le ta gjykojnë.