Më tepër se 3,000 raste që investigojnë kohën e qëndrimit para ekraneve të smartphone-it dhe dëmtimeve të shikimit tek fëmijët dhe të rriturit nga 3 muaj deri në 33 vjeç janë studiuar nga ekspertët në Anglia Ruskin University në Cambridge.
Studiuesit gjetën një lidhje të qartë midis kohës së shpenzuar para ekraneve dhe rrezikut të zhvillimit të miopisë, ose dritëshurtësisë në këto grupmosha. Smartphone-t të vetëm e rrisin rrezikun me 30%, por kur ato kombinohen me përdorimin e tepërt të kompjuterit atëherë rreziku shkon deri në 80%, në krahasim me mos përdorimin e tyre. Studiuesit i tremben gjithashtu faktit se deri në 2050, pothuajse gjysma e popullsisë së botës do të vuajë nga probleme të tilla me shikimin.
Agjensia globale e shëndetit rekomandoi se fëmijët nga moshat 2 deri në 5 vjeç nuk duhet të qëndrojnë para ekraneve të smartphone-ve për më tepër se 1 orë në ditë, ndërkohë që ato nën 2 vjeç nuk duhet të ekspozohen aspak.
Profesori i oftalmologjisë, Rupert Bourne tha se miopia dhe probleme të tjera me shikimin kanë filluar të shihen gjithnjë e më shpesh tek njerëzit.
“Studimi ynë është më gjithëpërfshirësi deri më tani dhe tregon një lidhje potenciale midis qëndrimit për kohë të gjata para ekraneve të smartphone-it dhe miopisë. Ky studim vjen në një kohë ku fëmijët tanë po shpenzojnë gjithnjë e më shumë kohë para ekraneve të smartphone-ve, pasi shkollat janë zhvilluar online.
Është tepër e qartë se duhet të zhvillohen studime urgjente për të kuptuar dhe më mirë se si ekspozimi ndaj pajisjeve dixhitale ndikon në shikimin e personave të ndryshëm.” u shpreh ai në një intervistë.