Përmbytjet kanë rrezikuar sërish qytetin Skënderaj në Kosovë, duke shkatërruar objekte, si dhe duke dëmtuar automjetet. Mediat e Kosovës kanë siguruar pamje nga përmbytjet në Skënderaj.

Fotografi i Nacionales, Visar Kadrolli, shihen disa vetura që kanë pësuar dëmtime.

Ditën e djeshme u shpëtua një grua në Llaushë të Skenderajt nga dy zyrtarëve të komunës së Skenderajt. Në ate vend shihen dëmet që ka shkaktuar përmbytja ku duket një shtëpi e rrëzuar tërësisht.

Edhe Mitrovica ka pësuar shumë dëme. Situata e krijuar që prej 19 janarit ka sjellë përkeqësime thuajse në të gjithë vendin.

“Dëmet janë jashtëzakonisht të larta, po flasim për qindra familje që janë detyruar të kalojnë natën e tyre tek familjarët e tyre. Është si gjithmonë një solidaritet i njerëzve. Dhe sot do të shikojmë dhe do të evidentojmë çdo familje, gjendjen ku e ka, ku është e vendosur, a kanë nevojë për qera dhe sigurisht që të ju qëndrojmë afër. Kemi qenë në komunikim, tre ministra kanë qenë dje në Mitrovicë, ai i MAPL-së Elbert Krasniqi, ministri i MPB-së Xhelal Svecla dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.”, – deklaroi Bedri Hamza, kryetar i Mitrovicës së Jugut.

Probleme me dëme kanë treguar edhe zyrtarët e komunës së Klinës. Në një prononcim për Nacionalen, z. Zenun Elezaj tha se gjatë ditës së djeshme e natës së mbrëmshme ka pasur shumë vërshime.

“Ka shumë familje të evakuuara në fshatra edhe me vetëiniciativa, por kemi pasur edhe ndihmën nga zjarrëfikësit dhe ekipet e shpëtimit nga Peja, Gjakova, Rahoveci dhe Suhareka. Dëmët janë jashtëzakonisht të mëdha. Unë aktualisht jam në teren duke identifikuar zonat se ku ka pasur dalje, kryesisht nga Lumi Klina”, ka thënë Elezaj.

Ndërsa në Istog ka qëndruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka shkuar atje së bashku me dy ministrat e tij, Armend Mehaj e Elbert Krasniqi.

“Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.” – shkroi Kurti në Facebook.

Ndërsa Instituti Hidrometrologjik i Kosovës ka paralajmëruar mundësinë e vërshimeve të reja dhe në zona të tjera të Kosovës./ Nacionale