Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Tiranë, Edi Rama nuk i kurseu batutat me Pandeli Majkon, i cili ndodhet në atë që konsiderohet “vija e zjarrit” në Tiranë, teksa renditet i 19-ti në listë. 

Edi Rama“Doja që në emër të gjithë atyre që nuk kanë nevojë për vizibilitet të veçantë sepse janë prej disa vitesh në këtë arenë të flasë më i riu prej tyre, që është Pandi, i cili meriton të ketë gjithë mbështetjen tonë se është i 19-ti, në atë zonën e rrezikut. Me gjithë solidaritetin po i jap fjalën edhe për një arsye tjetër, duke qenë se pas meje është i dyti që ka marrë gjithçka nga PS, dhe ai është i vetëdijshëm siç jam edhe unë i vetëdijshëm, është treguar shumë i gatshëm që ti përgjigjet edhe kërkesës së natyrshme të kësaj beteje, që Pandi të jetë veçanërisht aktiv në këtë fazë të ndeshjes. Kur ne duhet të jemi shumë të pranishëm, jo vetëm në territor, por edhe në komunikimin publik”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Majko u shpreh se nuk ka rëndësi rënditja pasi të gjithë emrat në listën e PS janë një ekip.

Pandeli Majko: “Kam një lloj presioni këto zgjedhje, nuk vjen nga nr. 19 por te pesha e përgjegjësisë që e ka çdokush, nga nr. 1 te 36. Këtu nuk bëhet fjala për të diskutuar matematikën, se do fitojmë 19, 20, 21 apo më shumë. Ky ekip nuk është një ekip mbijetese, ky është një ekip shprese që bën diferencë me ekipin përballë. Ekipi përballë është një grup njerëzish që përpiqen të mbijetojnë në politikë. Nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë, por është një Shqipëri e kondensuar. Ne kemi ardhur pa diskutuar me njëri-tjetrin, kush është i pari, i dyti, i treti, vija e zjarrit apo e sulmit”.