Kryeministri Edi Rama, së bashku me sipërmarrësin Behgjet Pacolli dhe ministren Belinda Balluku, kanë inspektuar sot punimet në aeroportin e Vlorës, të cilin do ta ndërtojë kompania “Mabetex International” e Pacollit.
Biznesmeni është shprehur se ky aeroport do të jetë i verifikuar nga ekspertët dhe në të njëjtin standard me aeroportin e Nju Jorkut.
Kemi një numër punëtorësh që do të shkojë deri në 600 veta. Kemi pikën medicinale, fjetjen për mbi 100 persona, zyrat, pikat për riparimin e automjeteve dhe çdo gjë tjetër. Herën tjetër nuk do kemi nevojë fare të shkojmë në kantier, do të jemi të lidhur me dron. Jemi në pikën ku të gjitha projektet janë të miratuara. Këtë vit do përfundojmë konstruksionin metalik dhe mbushjen e të gjithë territorit. Pista është kryesore, është zemra e aeroportit. Do të jetë një aeroport i verifikuar nga ekspertët. Ky do të jetë një aeroport me standarde si ai i Nju Jorkut. Ne nuk kemi dashur të kursejmë fare dhe jemi duke punuar në mënyrë të përkryer”, tha Pacolli.
Ndërsa ministrja Balluku tha se mbulesa e terminalit do të jetë me panele diellorë, nga të cilët do të prodhohet energjia e mjaftueshme për mbulimin e të gjitha nevojave që do të ketë ky aeroport.
“Ne kemi diskutuar dhe ka qenë një sugjerim që e ka dhënë edhe aeroporti i Mynihut. E gjithë mbulesa e terminalit do të jetë e mbuluar me panele diellore, llogaritet rreth 5.3 megavat/orë prodhimi, që është i mjaftueshëm për mbulimin e të gjitha nevojave që ka aeroporti, dhe do ketë edhe pjesën e parkimeve dhe gjithçka tjetër që do jenë të mbuluara me panele diellore”, u shpreh Balluku.