Kryeministri Edi Rama këtë të premte nga rruga tjetër e Dibrës do të lidhë brenda 12 muajve Dibrën me Librazhdin dhe do të mundësojë bashkimin e shpejtë të zonës verilindore të Dibrës me juglindjen.
Rama gjatë inspektimit të këtij aksi është shprehur se përveç Rrugës së Arbërit kjo është një tjetër perspektivë e re zhvillimi agroturistik, si edhe kushte të reja për turizmin, ekonominë, tregtinë, qoftë lart për Dibrën qoftë poshtë për Pogradecin e për Korçën, pa harruar edhe përshpejtimin e madh që ky aks sjell për ata që duan të ngjiten lart nga Ohri apo anasjelltas.
“Erdhëm deri këtu për të përcjellë që këtu me pamje faktike nga realiteti një mesazh shumë të rëndësishëm për një projekt që është thënë me dekada është lënë dhe stërlënë rrugëve dhe sigurisht që do të finalizohet nga qeveria jonë, për t’i dhënë një mundësi të dytë, një alternativë tjetër, përveç rrugës së Arbrit, të gjithë zonës së Dibrës. Njëkohësisht edhe gjithë zonës së juglindjes duke pasur Librazhdin si një pikë prej të cilës mund të shpërndahen”, tha Rama.
Ndër të tjera ai ka theksuar se është një hapësirë krejt e re dhe hapet Shqipëria e pazbuluar.
“Shpejtësia e ndërlidhjes për njerëzit rritet në mënyrë eksponenciale. Praktikisht gjithë verilindja në pjesën e Dibrës përfiton dy akse strategjike, një me kryeqytetin dhe një me juglindjen. Nga ana tjetër gjithë zona përfiton këtë aks strategjik për t’i dhënë hov një ndërveprimi me shumë potencial ekonomik sepse në këtë hapësirë të mrekullueshme të ka shumë potencial për të zhvilluar turizmin, agroturizmin, por ka edhe një mundësi njësoj si në rrugën e Arbrit të një udhëtimi tjetër panoramik në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri tha se krijohet ndërveprim mes këtyre dy zonave komplet të shkëputura dhe të palidhura për shumë kohë me njëra-tjetrën.
“Ata që janë në Dibër që të shkojnë në Korçë i bie sikur të kapin veshin mbrapsht. Duhet të mendohen 740 herë para se të nisen. Nga ana tjetër kështu i bie shkurt fare. Për 70-80 minuta në rastin e ecjes sipas standardeve, me një ecje normale”, tha Rama.
Po ashtu ai theksoi se gjithë pjesën e transportit të mallrave të prodhimeve bujqësore, të gjithë aktivitetit të tregtisë me një mundësi komplet tjetër.