Kryeministri Edi Rama mesditën e kësaj të shtunë ka qenë në Libohovë ku ka prezantuar kandidatin për në krye të kësaj bashkie.
“Ne kemi vijuar dhe do të mbështesim zhvillimin e kësaj zone që është e bekuar nga Zoti, nga poaraardhësit që i kanë lënë xhevahire të panumërta kësaj zone. Edhe Gjirokastra, Dropolli, apo për të mos folur për Memaliaj, Tepelenën që ishin në një gjendje të mjerueshme pasi askush nuk kthente kokën me pa këto zona. Monumentet e kulturës ishin në fund, pa u prekur me dorë.
Ne sot duam që ta vijojmë këtë punë, dhe jeni ju që na e jepni këtë mundësi, nëse nuk do të kishim Lizën këtu ne nuk do të mund të bënim asgjë për Libohovën. Por ishte ajo që mundi të na çonte përpara projektin.
Unë e kam përsëritur dhe shpesh do e them se kthimi pas me një votë që shkon qorrazi, tek tuk, tek ato që nuk kanë ardhur këtu për të vijuar punën dhe për të çuar para Libohovën, por duan ta marrin peng nga e para siç e kishin. Do të bëjë që ne nuk do të mundemi dot që ta mbështesim por është e pamundur më pas mbështetja, sepse ato as nuk dinë dhe as nuk duan.
As donatorët nuk do të investojnë më në ato bashki që merren peng nga dy njerëz. Ato vetëm shajnë, kërcënojnë, konfliktohen sherri shamataja e kudo. Këtu përveç karrigeve për tu ulur të gjithë ne nuk ka as ekrane të mëdha, as postera, ato do të jenë vetëm në fazën e fundit pasi aty ato janë të paevitueshme, të gjitha këto janë para që do të shkojnë për blerjen e pemëve”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai ka thënë se vetëm në Shkodër vijon avazi i deridjeshëm i plehrave që qelben në mes të lagjes, pasi ato nuk kanë asnjë sens të dhembshurisë dhe të kujdesit, por bashkëjetojnë me pisllëkun si një pjesëtar të koalicionit.