Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit publikoi sot shpenzimet për udhëtime, ndërkohë që Sali Berishën e quajti “shpifarak”. Përmes nënkryetarit Luçiano Boçi, PD ka zgjedhur një gjuhë të ashpër në përgjigje.
“Sheiku Ahm- Ed Bin Rama Al Surrel, me çarter pas fundshpine, ka reaguar me breshëri pasi hakerat i zbuluan numrin e fluturimeve me avion-taksi. Siç e ka zakon kur kapet ngushtë, ai fut në përdorim gjuhën e ashpër dhe sharjet, a thua se gjuha do ta shpëtojë nga ajo që i bën mendja, për hir të tekave kryeministrore”, tha Boçi në deklaratë.
“137 fluturime ka kryer zotëria e tij me avionin kryeministror, dhuratë e Erdoganit, pajë për zhbërjen e shkollave dhe llahtarisjen e fëmijëve shqiptarë”, vijoi ai.
Më tej, Luçiano Boçi tha se teksa kryeministri Edi Rama udhëton me “avionin-taksi”, shqiptarët ikin me taksitë e vdekjes për të kaluar Kanaline La Manit, drejt Anglisë.
“Sepse kryeministri ynë është në hava-limanin e tij, ku e ka shpënë shkëputja nga realiteti dhe hallet e popullit të vet. Ndërkohë që ai merr sa herë i teket, avionin-taksi, populli i tij rrëmben taksitë e vdekjes për të kaluar La Manshin dhe shpëtuar kokën nga qeverisja e tij.”