Zbulohen detaje të reja në lidhje me automjetin e fundit që ka marrë në përdorim kryeministri i vendit Edi Rama. Kompania është regjistruar më 02.06.2016 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me fushë të veprimtarisë, ‘Tregti të pjesëve të vjetra të këmbimit për automjete dhe tregti të automjeteve të përdorura’, në emër të subjektit Edlira Hoxhallari.

Por çfarë deklaronte zyrtarisht qeveria për këtë kompani? Në një përgjigje ndaj interesit të gazetares Esiona Konomi, ajo theksonte se aktiviteti ku është marrë me qera automjeti, funksionon prej më shumë se 5 vitesh në shitjen dhe dhënien me qera të automjeteve.

“Partia Socialiste ka një kontratë qeraje me subjektin, i cili ushtron prej më shumë se 5 vitesh aktivitet në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të automjeteve”.

Por ndryshe rezulton të jetë e vërteta në QKB. Sipas këtij dokumenti, rezulton se janë bërë ndryshime të të dhënave në regjistër konkretisht më 26/2/2018. Në këtë kohë, tregtisë i shtohet edhe dhënia e automjeteve me qera.

Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Pasi braktisi ‘Lincolnin’ e përfolur se ishte i blinduar për të cilin kryeministri Rama deklaroi publikisht se ia ka dhënë dhuratë vëllai i tij, Olsi, sot kryesocialisti lëviz me një makinë ‘GMC’ prodhim amerikan, për të cilën qeveria ka deklaruar se është marrë me qera, për shkak se makina e vjetër është konsumuar.

Një “GMC” si ajo që lëviz sot Rama ka një kosto që shkon deri në 400 mijë euro. Por në këtë rast ka rëndësi edhe se kush është sipërmarrja që ofron shërbime të tilla luksi? Ajo rezulton të jetë një kompani modeste në emër të Edlira Hoxhallarit me 28. 464 mijë lekë të reja të deklaruara në inventarin e përgjithshëm të saj, me fitim përfundimtar rreth 600 mijë lekë për vitin 2020.

Burime kane kontaktuar me administratorin e kompanisë, Erjon Hoxhallari që është bashkëshorti i pronares. Ai tha se kryeministrin e njeh si çdo qytetar shqiptar, dhe se ka nënshkruar një kontratë të ligjshme për të cilën disponon dokumentat.

“Jam në Livorno momentalisht. Dokumentet i kam në dyqan. Do kthehem pas 4 ditësh. Nuk kam asgjë për të fshehur. Disponoj të gjitha dokumentat e kontratës. Është e rregullt. Çdo veprim që është bërë është i pasqyruar në dokumenta. E njoh kryeministrin aq sa e njeh çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi, përmes televizorit.”, tha ai.

fax