Pas raportit të “Save the Children”, mbi nivelin e lartë të varfërisë së fëmijëve shqiptarë, të dhëna shqetësuese vijnë nga autoritetet italiane.

Brenda një muaji, nga 1 shtatori deri më 30 shtator, janë 249 minorenë shqiptarë më shumë që janë marrë më mbrojtje nga autoritetet italiane.

Shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë të emigrantëve minorenë të identifikuar në territorin italian në një muaj, duke bërë që Shqipëria të renditet e para në listën e vendeve të origjinës së tyre, e duke lënë pas vende si Afganistan, Siria, Paksitan, Bangaldesh, Eritrea, Gambia etj.

Përgjatë muajit shtator, ndër 249 minorenë të parregullt shqiptarë, 15 prej tyre janë identifikuar në rrugët kufitare mes Italisë e Shqipërisë e 234 brenda territorit italian.

Të dhënat janë pjesë e raportit mujor, i sapo publikuar nga Ministria Italiane e Punës dhe Çështjeve Sociale e i siguruar nga RTV Ora e Ora News.

Numri i minorenëve shqiptarë të pashoqëruar e të strehuar vetëm gjatë muajit shtator në Itali, është gati dyfish më shumë se ai i verifikuar gjatë muajit gusht 2021, që sipas të dhënave zyrtare konfirmohet 143.

Kjo rritje ka bërë që dhe numri i përgjithshëm i minorenëve emigrantë shqiptarë pa prindër në Itali të rritet, nga 780 që ishte në fund të muajit gusht, në 987 aktualisht.

Kjo shifër është baras me 10.2% të numrit të përgjithshëm të tyre me kombësi të ndryshme, e që aktualisht është 9661.

Në renditjen e përgjithshme të vendeve të origjinës, Shqipëria vazhdon të renditet në vend të katërt, duke u pozicionuar pas Bangaldeshit, Tunizisë e Egjiptit.

Shqipëria është në vend të dytë të kombësisë së minorenëve të pashoqëruar vajza.

Janë aktualisht 30 vajza nën moshën 18 vjeç, me origjinë shqiptare të strehuara në qendrat sociale për emigrantë minorenë, e për nga numri renditen të dyta, pas 67 vajza me origjinë nga Bregu i Fildishtë.

Në raportin e Ministrisë italiane renditet dhe Kosova, e cila së bashku me Afganistanin janë në vendin e gjashtë për nga numri i minorenëve të pashoqëruar të identifikuar në territorin italian brenda një muaji,

Konfirmohen 34 minorenë kosovarë më shumë se ata të regjistruar gjatë muajit gusht, duke e çuar numrin e tyre në 166 e që e rendit Kosovën në vendin e 12, me 1.7% të numrit të minorenëve emigrantë të pashoqëruar në Itali.

Shqetësuese shfaqet në këtë raport, numri i minorenëve që largohen nga qendrat sociale të strehimit, e që shpesh janë viktimë e grupeve kriminale që i përdorin për aktivitetin e tyre kriminal e trafiqet e paligjshme.

Brenda muajit shtator, autoritetet italiane sinjalizojnë se janë 9 minorenë shqiptarë të larguar nga këto qendra.

Numri i lartë i minorenëve emigrantë të pashoqëruar me origjinë shqiptare, që kërkojnë strehim në Itali, shqetëson autoritetet italiane.

Shqipëria nuk hyn në listën e vendeve me konflikt lufte, fatkeqësi natyrore o krizë humanitare që të gjej motivim renditja e këtij vendi, ndër vende e para të prejardhjes së minorenëve.

  •    Raporti: Rritet numri i minorenëve shqiptarë emigrantë të 
  •    Raporti: Rritet numri i minorenëve shqiptarë emigrantë të 
  •    Raporti: Rritet numri i minorenëve shqiptarë emigrantë të