Pas miqësores që kombëtarja jonë zhvilloi kundër Spanjës, mbrëmjen e djeshme, takim që kuqezinjtë humbën me rezultatin 1-2, por ajo që gëzon tifozët ishte loja e mirë që djemtë e Edi Rejës zhvilluan kundër një prej kombëtareve më të forta.

Paraditen e sotme në konferencën për shtyp nga Spanja, ishin të pranishëm Edi Reja dhe Berat Gjimshiti, teksa ndjejnë keqardhje për humbjen ndaj kombëtares iberike, ndërsa njëzëri shprehen se skuadra zhvilloi një lojë të mirë dhe barazimi do ishte një rezultat i favorshëm.

E shikoni Spanjën si kampione bote dhe a jeni të kënaqur që e vutë në vështirësi Spanjën? “Bëmë një paraqitje shumë të mirë në tërësi ndaj Spanjës. Fola me trajnerin Luis Enrike pas ndeshjes dhe e urova, i thashë që ka një ekip shumë të mirë dhe uroj shumë që në Botëror Spanja të bëjë një paraqitje shumë të mirë dhe të fitojë Kupën e Botës. Aktualisht Spanja ka një ekip shumë teknik, po themi që janë 10 lojtarë që janë thuajse në të njëjtin nivel. Nuk ka një fenomen, por i gjithë ekipi është i mbushur me Top Players. E urova për paraqitjen dhe për Botërorin. Jam i mërzitur sot për rezultatin, por më shumë për mënyrën se si i pësuam golat. Më vjen keq sepse të njëjtat gabime kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara, sidomos me Poloninë, nëse nuk do të kishim humbur në Tiranë, sot do të ishim në play-off dhe do të ishim duke luajtur për një biletë në Botëror. Po rritemi, kemi bërë progrese, por kemi nevojë të punojmë në mënyrë të veçantë për të shmangur gabimet e vogla dhe për të bërë hapin cilësor që të jemi në gjendje të luajmë edhe me ekipe të mëdha në të njëjtin nivel. Më vjen mirë për faktin që lojtarët punuan shumë, besoj se luftuan dhe treguan karakter dhe shpirt luftarak deri në fund sidomos në pjesën e mbrojtjes që më ka pëlqyer shumë.