Zjarret vazhdojnë të përpijnë qindra hektarë pyje në Shqipëri, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe tokat bujqësore. Rritja e temperaturave në muajin gusht po shoqërohet edhe me shtimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe ato me shkurre të Shqipërisë.
Njëzet e tetë vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave 20 janë shuar, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.
Pjesa më e madhe e zjarreve në sipërfaqet pyjore shkaktohen nga temperaturat e larta, por, sipas autoriteteve vendore, një pjesë prej tyre edhe nga pakujdesia e banorëve, si dhe zjarrvëniet e qëllimshme.
Kreu i Emergjencave Civile në Shqipëri, Haki Çako, deklaroi për Radio Evropa e Lirë më 9 gusht se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë fikur mbi 30 zjarre. Për fikjen dhe lokalizimin e zjarreve u angazhuan mbi 1.000 efektivë, tha ai teksa bëri sërish thirrje për koordinim dhe njoftim më të shpejtë nga ana e autoriteteve lokale për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Ishin 24 orë shumë intensive në luftën ndaj zjarreve në Shqipëri për shkak edhe të temperaturave të pazakonta në vend. Kemi patur 34 vatra zjarri në mbarë vendin, të cilat po monitorohen me prezencën e të gjitha strukturave të Mbrojtjes Civile. Kanë marrë pjesë mbi njëmijë forca, janë angazhuar struktura nga ato vendoret, si Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor dhe forca vullnetare, të mbështetura nga forcat e armatosura të specializuara për luftën ndaj zjarreve, të mbështetura edhe nga helikopteri i tipit ‘Cougar’”, tha Çako më 9 gusht.
Ai shtoi se ka ende vatra aktive në fshatin Shetaj, në rrethin e Durrësit, në atë të Gramshit dhe në zonën e Kurbinit.
“Në fshatin Prongji, në bashkinë e Gjirokastrës, është riaktivizuar vatra e zjarrit e cila u fik ditën e djeshme. Kemi forca të shumta të angazhuara në monitorimin e këtyre zonave. Natyrisht që kapacitetet nuk janë maksimale, nuk janë ato të niveleve që të përballojnë zjarre masive në kulmin e verës, por duhet mbi të gjitha koordinimi dhe paralajmërimi i hershëm. Kjo pasi sa më shpejt të reagojmë, aq më shumë rezultat do të kemi në parandalimin e përhapjes së zjarreve”, tha ai.
https://www.evropaelire.org/embed/player/0/31950281.html?type=video
Shqipëria pa mjetet e duhura për t’iu përgjigjur emergjencave civile
Një javë më parë, më 1 gusht, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një takim me drejtues të pushtetit vendor, ku kërkoi gatishmërinë e tyre në terren për menaxhimin e situatës me zjarret.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Rama kishte deklaruar se “fatkeqësia natyrore na zuri të papërgatitur” dhe u zotua se do të ketë investime për Emergjencat Civile.
Por, më shumë se dy vjet më vonë, ky shërbim i rëndësishëm punon me një numër të kufizuar zjarrfikësish për numër banorësh dhe me mjete të amortizuara dhe të vjetërsuara.Ky fakt pohohet edhe në raportin diagnostikues të Bankës Botërore (BB) mbi “Vlerësimin e përgatitjes dhe të përgjigjes ndaj emergjencave” të publikuar në maj të këtij viti, ku analizohet situata në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri.