Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u përzgjodhën me votë 300 delagatët e rinj.
Përmes një postimi në facebook, Basha teksa i uron suksese fituesve, thekson se Partia Demokratike është e vetmja shpresë për shqiptarët dhe se delegatët e rinj do të jenë një urë bashkëpunimi mes PD-së dhe shoqërisë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë e së ardhmes.
“Mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë. Suksese Këshillit Kombëtar të përzgjedhur!
Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.
Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu.
Këshilli i ri, i hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim”, shkruan Basha.