Java e ardhshme nuk do të jetë si ditët që lamë pas. Moti i ngrohtë dhe thuajse pranveror i kësaj jave, do të pasohet nga reshje shiu dhe rrebeshe.

reshje-shiu-permbytje

Ndërkohë që në fshatrat e Shkodrës ka ende toka të përmbytura, duket se reshjet më të mëdha do të bien pikërisht në këtë zonë. Moti do të përmirësohet vetëm ditën e premte.

Parashikimi:

Ditë pranverore trokitën në vend këtë fillim shkurti. Moti me diell i këtyre ditëve do të pasohet nga ditë me reshje shiu dhe rrebeshe. Reshjet do të përfshijnë vendin dy ditët e para të javës me intensitet mesatar. Në qarqet Shkodër e Gjirokastër reshjet do të arrijnë përkohësisht intensitet të lartë.

Ndërprerje e përkohshme e tyre parashikohet ditën e mërkurë, për tu rikthyer sërish ditën e enjte me intensitet të ulët e lokalisht në formën e shtrëngatave. Në majat e maleve reshje bore.

Situatë krejtësisht e ndryshme do të vijë ditën e premte, pasi pritet depërtimi i rrymave të fohta. Këto do të sjellin mot të kthjellët por me ngrica në zonat malore e ato kodrinore.

Era, do të fryjë nga kuadrati i jugut e vrullshme përgjatë bregdetit dhe zonave luginore. Ditën e premte do të mbizotërojë erë veriore. Valëzimi këtë javë pritet të arrijë deri në forcën 6 ballë me lartësi vale deri në 2.5m në brigjet detare.

Ju urojmë një të diel të mbarë në vijim së bashku me familjet tuaja!

Panorama