Wayne Rooney foli në “The Sunday Times”, ku tregoi një anekdotë që po bëhet “virale” në rrjetet sociale. “Kam ndërruar takat (këpucët e futbollit) e mia para ndeshjes. Kam përdorur tako më të gjata sepse doja të lëndoja dikë. Nëse Chelsea merrte një pikë, atëherë fitonte Premier League.

Në atë kohë, unë nuk mund ta duroja atë. Takat ishin të ligjshme, në përmasa legale, por ishin më të mëdha se ato që përdorja normalisht”, – kujton ish-sulmuesi i shquar anglez për atë ndeshje të ndezur ndaj bluve të Londrës.

Rooney foli edhe për problemet e tij të njohura me alkoolin: “Kishte raste kur kishe dy ditë pushim dhe mbyllesha e pija, doja t’i hiqja të gjitha problemet nga mendja. Njerëzit e dinin që ndonjëherë më pëlqente të pija një pije ose të dilja, por në kokën time po ndodhte shumë më tepër se kaq. Tani, njerëzit do të ishin më në gjendje të flisnin për atë lloj gjëje.

Në atë kohë, në kokën time dhe në kokën e lojtarëve të tjerë kishte pengesa të ndryshme. Nuk mund të hyja në dhomën e zhveshjes së Manchester United dhe të filloja të thoja se kështu ndihem. Thjesht nuk ia tregoja kujt problemet, mundohesha t’i mbysja me alkool…”

Ish-sulmuesi britanik thotë se gjithçka ndryshoi kur filloi të shkonte te psiko-terapisti dhe t’i shprehte me fjalë problemet e tij me ata që e rrethonin: “Para se të shpërtheja mësova se duhej të ulesha dhe të flisja me dikë. Kjo i qetësoi gjërat. Fola me Coleen, me prindërit e saj dhe të mitë. E bëra kur ndjeva se po arrija një moment të keq”.