Një histori e dhimbshme ajo që u tregua sot në televizion, me një grua sot rreth 38 vjeçe, e cila është ende e traumatizuar nga ato që ka vuajtur në vitet e fëmijërisë, që duhet të ishin më të bukurat e saj.

Ishte 15 prilli 1983 kur Afërdita Dule erdhi në jetë nga dy prindër që kishin edhe 3 fëmijë të tjerë. Narkoza e tepërt e shkatërroi të ëmën që përfundoi në Psikiatrikun e Vlorës. E po atje, por në jetimore, përfundoi e bija motake.

Babai jetonte me nënën e cila rriste tre fëmijët e tjerë. E gjora rrinte në jetimore në kushte çnjerëzore sikurse i rrëfeu vetë sot në TV Klan.

“Nuk kisha të haja. Nuk na jepnin asgjë. Ai palo ushqim që na jepnin ndonjëherë ishte i tmerrshëm. Na keqtrajtonin, ishim rreth 50 fëmijë që vuanim urie. Na dënonin pa ngrënë e pa pirë në dhoma izolimi në terr.

Dilja fshehurazi dhe rrëmoja mbeturinat e haja lëkura shalqiri. Po çfarë nëne ishte ajo që më braktisi aty, përse”, tha disa herë me dënesë,

“Nuk më trajtonin mirë, më vinin në punë, më vinin me shumë fëmijë në dhomë, bënim çfarë thoshte edukatorja, përndryshe na ndëshkonin nëse nuk e bëja, më rrinin ose më vinin në izolim pa ujë dhe pa ushqim. Isha 6 vjeç dhe nuk do i harroj dot kurrë këto gjëra. Mbaj mend që dhe shumë fëmijë të tjerë qanin nga uria, unë nuk haja atë që hanin edukatoret. Unë haja lëkura patatesh, lëkura shalqiri, makarona dhe bukë të ndenjur që ato hidhnin në mbeturina. Nuk më jepnin asnjë gjë tjetër për të ngrënë, unë vidhja për të ngrënë. Atë që shihja në rrugë, përtokë. Unë haja dhe bubureca, nuk kam turp ta them. Unë dilja të vidhja natën për të ushqyer fëmijët që ishin më të vegjël se unë, ishim rreth 50 fëmijë dhe të gjithë ishim kështu.

Unë nuk e quaj institucion por si luftë. Edukatoret na rrihnin me grushta, gjemba trëndafilash nëse nuk bëja ashtu siç thoshin ato. Unë isha shumë e dobët, isha nën peshë, në moshën 7-vjeçare peshoja 16 kg, kisha gojën e shtrembër, sytë e shtrembër nga kequshqyerja. Nuk më lanin kurrë, kisha morra. Unë nuk ia uroj kurrë kujt këtë histori. Cila nënë do ta braktiste të bijën që ta trajtonin kështu (qan)? Ky është mllefi im, pyes veten pse nëna nuk vinte për të më marrë. Mua nuk vinte të më merrte askush, isha gjithnjë aty në atë institucion që unë e quaj “tmerr”.

Maria tregon se edhe gishtat i ka të shtrembër sepse gjithmonë i vishnin të njëjtat këpucë edhe pse këmba i rritej vazhdimisht.

Afërdita e cila erdhi nga Sicilia e Italisë pasi 38 vjet më pas e kërkonte i ati, motra dhe vëllai. Ajo tani mban emrin Maria Pia Maltese, pasi 30 vjet më parë e birësoi një familje italiane.

“Mbaj mend në 1991, në ditën më të bukur për mua, Zoti deshi të më jepte një jetë të dytë. Në Tiranë erdhën dy italianë për të birësuar një fëmijë. Për herë të parë edukatoret më lanë, më bënë banjo. Këta dy italianët po na shikonin ne fëmijëve në rresht, nuk e di se çfarë më tërhoqi tek ata dhe shkova unë t’i përqafoja dhe jo ata mua. Babai im u shtang dhe i tha nënës time unë e dua këtë vogëlushe. Nëna ime i tha që jo është e sëmurë, e ka gojën e shtrembër, këmbët e shtrembra dhe babai im i thotë o atë o asnjë. Më zgjodhën mua, isha shumë e lumtur më ndërruan rrobat, vesha rroba të reja.”

Maria tregoi se ishte shumë e mërzitur për fëmijët e tjera, madje ka bërë dhe një marrëzi. Një vajzë që e kishte shumë shoqe e ka futur në bagazhin e makinës së prindërve italianë për ta marrë me vete. Ajo filloi të qante sepse mungonte ajri në bagazh, kështu prindërit e kuptuan dhe e çuan sërish në jetimore.

Jeta e saj pas vajtjes në Itali ndryshoi rrënjësisht dhe shprehet se është gjallë falë prindërve të saj birësues dhe se do jepte dhe jetën për ta.

Por përse ishte në TV, 38 vjeçarja që tani ka një djalë rreth 3 vjeç?

Moderatori Ardit Gjebrea i rrëfeu historinë e prindërve të saj biologjikë dhe e përloti. Ajo tha se mendonte që prindërit i kishte të vdekur dhe ishte fëmijë i vetëm dhe jo të kishte motra dhe vëlla tjetër. Kur u pyet nëse është gati t’i shohë dhe takojë, Maria ngurroi në fillim, u shpreh se kishte frikë, por më pas pranoi.

Ajo u shpreh se vëllai dhe motra nuk kishin faj dhe pse ndjen shumë mllef. 38-vjeçarja pranon që t’i takojë, babai vrapon për ta takuar dhe gjatë përqafimit atij i bie të fiktë nga emocionet, por më pas e merr veten.

fax web