Rrjeti SafeJournalists Shqipëri ka shprehur shqetësim të thellë lidhur represionin nga Policia e Shtetit në ambientet e News24.

Me anë të një njoftimi, organizata shprehet e alarmuar për pengimin e aksesit në ambientet e redaksive të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare në Tiranë.

Sipas njoftimit, ky veprim kufizon qasjen e gazetarëve në vendin e punës dhe pengon ushtrimin e detyrës së tyre profesionale.

Organizata paralajmëron se veprime të tilla përbëjnë rrezik për lirinë dhe pavarësinë e medias në vend.

SafeJournalists bën të ditur se po e ndjek nga afër situatën dhe do të vazhdojë monitorimin e zhvillimeve në ditët në vijim.