I
pyetur mbi mundësinë që Shqipëria të goditej nga një sulm terrorist nga Irani pas sulmeve kibernetike, Rama u përgjigj se me një regjim të tillë, asgjë nuk mund të parashikohej.
Ndërsa sa i takon veprimtarisë së muxhahedinëve në Shqipëri, Rama pranoi se kishte pasur tendenca dhe përpjekje nga ata për të krijuar një lloj platforme politike ndaj regjimit të Iranit, por shtoi se ishte bërë ndërhyrja për t’u bërë të qartë se ndodheshin në vendin tonë për të qenë të sigurt jo për të ngritur platforma politike.
“Ne nuk kemi të dhëna që të na bëjnë të ndihemi të rrezikuar por bëhet fjalë për një regjim të egër që mund të jetë i paparashikueshëm. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Kemi nevojë ta përforcojmë mbrojtjen tonë kibernetike. Besoj që jemi në rrugë të mbarë për të ndërtuar sistemin tonë të mbrojtjes.
Ata (muxhahedinët) kanë ardhur në Shqipëri për t’u marrë në mbrojtje për jetën e tyre. Operacioni është i natyrës humanitare, nuk është për t’u dhënë mundësinë e një platforme politike. Besoj se ka pasur tendencë nga ata për të krijuar platforma të tilla dhe kemi filluar proces komunikimi me ta për t’u bërë të qartë për marrëveshjen për t’u garantuar jetën dhe jo mbështetjen e platformave politike të tyre”– u shpreh Rama.