Persona të armatosur të paidentifikuar hapën zjarr në një bar në Meksikën qendrore, duke vrarë 10 persona, thanë zyrtarët, në shpërthimin e fundit të dhunës që goditi vendin.

“Duket se ishte një sulm i drejtpërdrejtë,” tha një zyrtar i policisë nga qyteti Tarimoro në shtetin e Guanajuato, i cili është tronditur vitet e fundit nga luftërat e egra midis bandave rivale të drogës.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se të dhjetë viktimat në sulmin e së mërkurës ishin meshkuj dhe se nuk ishte bërë ende asnjë arrestim.

Një zyrtar i qeverisë shtetërore tha se nëntë nga burrat u vranë në vendngjarje, ndërsa një tjetër vdiq nga plagët e tij pasi u dërgua në spital, shkruajnë mediat e huaja.

Duke e quajtur të shtënat një “sulm frikacak”, guvernatori i Guanajuato, Diego Sinhue Rodriguez në Twitter shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

Ai nuk dha detaje të sulmit.

Ministria federale e sigurisë tha këtë javë se Guanajuato ka parë më shumë vrasje këtë vit në mesin e shteteve meksikane, duke regjistruar 2,115 viktima midis janarit dhe gushtit.