Shqiptarët këtë vit po blejnë më shumë makina. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), për nëntë muajt e parë janë regjistruar 52 357 automjete të reja.

Kjo shifër është afërsisht e barabartë me regjistrimet e reja të kryera për të gjithë vitin 2020. Në mënyrë specifike, numri i autoveturave është në rritje që në fund të 9-mujorit. Sipas DPSHTRR, për nëntë muaj janë regjistruar 44 427 autovetura, në rritje me 1.75% krahasuar me vitin e plotë 2020.

Po ta bëjmë krahasimin mbështetur në mesataren mujore, këtë vit rezulton se janë regjistruar çdo muaj 4936 autovetura, në rritje me 35.7% krahasuar me mesataren mujore të vitit të kaluar. Autoveturat përbëjnë rreth 85% të mjeteve të reja të regjistruara.