Në 6 muaj 225,643 qytetarë kryen Kontrollin Mjekësor Bazë.
Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe tumoret, në shumicën e rasteve i referohen mjekëve specialistë.
Programi kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshën 35-70 vjeç po jep frytet e veta jo vetëm sa i takon krijimit për herë të parë të një database mjekësore, por edhe për identifikimin, dhe parandalimin e sëmundjeve.
Ajo që vihet re referuar të dhënave zyrtare është rritje e ndërgjegjësimit të popullatës për vetë rëndësinë që mbart kontrolli mjekësor bazë për identifikimin e çdo problematike shëndetësore që ky kontroll mjekësor vlerëson, nëpërmjet setit të analizave që çdo qytetar i moshës 35-70 vjeç ka mundësi të kryejë falas, çdo vit.
Duke u mbështetur në të dhënat për 6 mujorin e parë 2018 në total janë kryer 225,643 kontrolle mjekësore bazë në rang vendi, duke treguar një interes të lartë të popullatës për ta kryer Kontrollin Mjekësor Bazë.
Në të gjithë rajonet ka një rritje të konsiderueshme të numrit të kontrolleve check up në vlerë absolute.
Rritja e numrit të kontrolleve mjekësore bazë, ka sjell diagnostikim të hershëm të sëmundjeve.
Diagnostikimi i hershëm jo vetëm përmirëson cilësinë e shëndetit të popullatës por lehtëson koston e trajtimit të pacientëve si dhe drejton në mënyrë të drejtë politikat shëndetësore.