Një nga pikat më të bukura turistike të Elbasanit

Vetëm 25 km larg qytetit të Elbasanit ndodhet një ndër pikat turistike më të bukura dhe të frekuentuara të qarkut, Gjinari.

Gjinari është shndërruar në një destinacion turistik, ku elbasanasit, turistë vendas dhe mjaft turistë të huaj  gjejnë qetësinë duke u larguar nga ndotja, stresi dhe aktiviteti i zhurmshëm i një qyteti.

Relievi ofron mundësi për të zhvilluar turizmin në çdo stinë të vitit ndaj kjo pikë turistike është frekuentuar gjatë gjithë vitit.

Gjinari cilësohet si një nga pikat më të preferuara të Elbasanit dhe kjo vërehet edhe gjatë ditëve të javës kur bujtinat apo restorantet e zonës janë plot me turistë.

E veçanta e Gjinarit është se ai dallon për nga klima dhe resurset e veta natyrore, duke të ofruar një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër.

 Krahas kënaqësisë, kur shkel në këto anë, një vlerë jashtëzakonisht të madhe ka Gjinari edhe si zonë kurative, sidomos për ata që vuajnë nga mushkëritë.

Ajri këtu është i pastër, plot oksigjen.Për këtë arsye disa vite më parë u mendua që në këtë vend të ndërtohej një senatorium.

Por pavarësisht se ka kaluar rreth një vit nga lançimi i këtij projekti ende në këtë vend nuk ka investime të reja.

Në pamundësi për investime të mëdha nga ana e pushtetit lokal, në këto vite ka lulëzuar turizmin familjar si një risi që ka sjellë interesin e banorëve për ta zhvilluar këtë zonë dhe për ta bërë destinacionin kryesor jo vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar.