Evropa është sërish epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ku disa shtete po rivendosin masa kufizuese me qëllim që të frenojnë rritjen e re të rasteve me COVID-19.
Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit dhe sistemeve të mira të kujdesit shëndetësor, rastet me koronavirus në Evropë janë rritur që prej fillimit të tetorit dhe tani niveli i rasteve është më i lartë se që prej fillimit të pandemisë.
Në shtatë ditët e fundit, mbi 2.1 milionë raste janë regjistruar në Evropë, duke e thyer rekordin me më së shumti raste, që ishte shënuar në javën e parë të nëntorit të vitit 2020.
Pesë shtete – Britania, Gjermania, Rusia, Turqia dhe Ukraina – së fundmi kanë shënuar rritje të rasteve me COVID-19 për më shumë se 50 për qind.
Numri i vdekjeve po ashtu është rritur. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se numri i viktimave javën e kaluar është rritur për 10 për qind dhe vdekjet në baza ditore janë mbi 4,000.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) më 12 nëntor tha se situata po vazhdon të përkeqësohet dhe futi nëntë shtete – Poloninë, Holandën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Greqinë, Hungarinë dhe Slloveninë – në kategorinë e shteteve me shqetësimin më të lartë.
Zyrtarët shëndetësorë thonë se rritja e infeksioneve po ndodh për shkak të variantit më infektues Delta, ndryshimit të stinëve dhe imunitetit në rënie nga vaksinat.
Shtetet evropiane po i përgjigjen në forma të ndryshme kësaj vale të re të pandemisë. Qeveria holandeze më 12 nëntor njoftoi për izolim të pjesshëm për tri javë, ndërkaq kancelari austriak, Alexander Schallenberg njoftoi se personat e pavaksinuar në dy rajone të shtetit nga 15 nëntori do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike.
Austria është duke përjetuar një prej shpërthimeve më serioze të virusit në Evropën Perëndimore, së bashku me Gjermaninë, që ka raportuar rekord infeksionesh në ditët e fundit.
Christian Drosten, kreu i virologjisë në spitalin Charite të Berlinit, tha se Gjermania duhet që shumë shpejt ta rrisë nivelin e vaksinimit, që aktualisht është 67 për qind. Por, zyrtarët kanë hequr dorë nga vaksinimi i detyrueshëm dhe duan që të shmangin çdo masë izoluese.
Prandaj, Gjermania dëshiron që të rihapë qendra të vaksinimit në mbarë shtetin që njerëzit të mund të marrin doza përforcuese të vaksinimit, ndërkaq Instituti Robert Koch ka lëshuar një thirrje urgjente që “ngjarjet e mëdha të pezullohen kurdo që munden apo të shmangen, dhe që të gjitha kontaktet jothelbësore të ulen”.
Franca së fundmi ka njoftuar se personat mbi 65 vjeç duhet të marrin dozë përforcuese të vaksinës në mënyrë që të mund të marrin pasaportë shëndetësore. Italia po ashtu po zgjeron dhënien e vaksinave përforcuese dhe po bën thirrje që personat që ende nuk janë imunizuar, ta bëjnë një gjë të tillë.
Në Rusi, ku numri i vdekjeve në baza ditore më 12 nëntori tejkaloi shifrën prej 1,200 për të katërtën ditë me radhë, qeveria ka dërguar në parlament dy projektligje që do të detyrojnë qytetarët që të kenë pasaporta shëndetësore në mënyrë që të kenë qasje në restorante dhe transportin publik.
Në Shtetet e Bashkuara, një gjykatë e apelit ka lënën në fuqi vendimin për të pezulluar një urdhër për kompanitë me 100 apo më shumë punëtorë që t’u kërkojnë vaksina apo testime të rregullta kundër COVID-19 punëtorëve të tyre.
Gjykata e Apelit në Nju Orllins të Luizianës, konfirmoi vendimin e saj të mëparshëm, pavarësisht qëndrimit të administratës së presidentit, Joe Biden që një vendim i tillë do të mund të çojë në vdekjen e dhjetëra apo qindra personave.
Pse Evropa u shndërrua në epiqendër të pandemisë?
Në fillim të nëntorit, drejtori për Evropë në Organizatën Botërore e Shëndetësisë, Hans Kluge tha se “sipas projeksioneve, nëse vazhdojmë në këtë trajektore ne do të shohim edhe gjysmë milioni vdekje nga COVID-19 në Evropë dhe Azinë Qendrore deri në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm – 43 shtete të rajonit tonë do të përballen në një pikë, gjatë kësaj periudhe, do të përballen me presion të madh në spitale”.
OBSH-ja thotë se janë dy arsye kryesore pse Evropa, por edhe Azia Qendrore janë në një situatë të vështirë:
Mbulimi i pamjaftueshëm i vaksinimit
Lehtësimi i masave kufizuese shëndetësore dhe sociale
Nivelet e vaksinimit në Evropë kanë rënë muajve të fundit, por ato dallojnë nga shteti në shtet. Për shembull, në Spanjë pothuajse 80 për qind e popullatës është vaksinuar plotësisht, ndërkaq në Rusi, deri në tetor janë vaksinuar vetëm 32 për qind e popullatës.
Mesatarisht, vetëm 47 për qind e popullsisë së Evropës janë vaksinuar plotësisht. Tetë shtete kanë tejkaluar shifrën prej 70 për qind të të vaksinuarve, ndërkaq dy shtete kanë vaksinuar nën 10 për qind të popullatës.
Në shtetet ku vaksinimi është i ulët, numri i shtrimeve në spital është i lartë, siç është rasti i shteteve Baltike, të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në rajonin e Ballkanit.
Ndërkaq, Portugalia, Malta dhe Irlanda kanë vaksinuar mbi 90 për qind të popullatës./REL