Home AKTUALITET Rritja e infektimeve/ Paralajmërimi i parë vjen nga Veliaj: Për të pavaksinuarit...

Rritja e infektimeve/ Paralajmërimi i parë vjen nga Veliaj: Për të pavaksinuarit nuk do ketë…

45

Edhe pse nuk ka ende një vendim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që e bën të detyrueshme vaksinën anti-COVID, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj paralajmëroi “penalitete” për të gjithë ata që do të refuzojnë ta kryejnë atë.

Nga Ndroqi, Veliaj tha se për të marrë pjesë në aktivitetet që organizohen në kryeqytetet, qytetarët duhet të dëshmojnë se janë të vaksinuar. Nëse nuk vaksinohesh, shtoi kryebashkiaku nuk ke pse e mban peng qytetin që të kthehet në jetën e tij normale.

“Nëse doni që Tirana të hapet 100%, pra që të lejohet publiku në ndeshjet e futbollit ose në koncerte, duhet të jesh i vaksinuar. Nëse doni të shkoni në aktivitete te Amfiteatri i Liqenit, në sheshin “Skënderbej”, apo të ndiqni koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, s’ka rëndësi kush vjen, duhet të jeni të vaksinuar. Nëse nuk vaksinohesh, nuk ke pse e mban peng qytetin që të kthehet në jetën e tij normale. Sepse i bie që 1% e shoqërisë dikton 99% të të tjerëve. Nëse s’do të vaksinohesh, rri ti në shtëpi dhe beso idiotësitë e portaleve”, tha Veliaj.

CERTIFIKATA E VAKSINIMIT

Në këto kushte, certifikata e vaksinimit nuk do të jetë vetëm një pasaportë për të udhëtuar jashtë vendit, por edhe “kusht” për të marrë pjesë në aktivitetet publike që Bashkia Tiranë organizon.

Një masë e tillë ka nisur të ndërmerret në disa prej vendeve të BE-së. Prej kësaj të premteje, vaksinimi kundër COVID-19 në Itali është bërë i detyrueshëm, ndërsa pasaporta e imunitetit do të përdoret edhe për personelin e shkollave, nxënësit mbi 12 vjeç, si dhe në universitete, sallat e lojërave, të basteve, bingove dhe kazino.

VAKSINIMI

Por në vendin tonë, frika e krijuar nga qarkullimi i variantit Delta, ka vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore, të cilat për të parandaluar një përkeqësim të mundshëm të situatës në spital, kanë hequr kufizimet për vaksinimin kundër COVID-19.

Përgjatë muajit gusht, çdo person mbi 18 vjeç mund të paraqitet pranë qendrës shëndetësore ose vaksinimit dhe të kryejë vaksinën. Për këtë mjafton vetëm karta e identitetit.

“Me kartën e identitetit, ju mund të paraqiteni në qendrën tuaj shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën antiCOVID. Qendrat e vaksinimit që do të jenë të hapura nga ora 08:00-20:00”, ka bërë të ditur Ministria, sipas së cilës vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë te lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. Vetëm në 24 orët e kaluara janë kryer mbi 8631 vaksinime.

“Prej fillimit të këtij procesi, janë kryer në total 1,238,036 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 545,036 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Në 24 orët e fundit janë kryer 8,631 vaksinime. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’u dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim”.