Dhjetëra banorë të Patos – Fshat, në bashkinë Fier kanë dalë paraditen e sotme në një protestë për infrastrukturën e rrënuar dhe shërbimet e munguara bazike që mungojnë prej vitesh.
Protestuesit e grumbulluar në qendër të fshatit me pankarta në duar, pohuan për mediat se rruga e amortizuar është kthyer në një makth për ta, pasi prej më shumë se dy dekadash, gjendja është skandaloze.
Bëhet fjale për një segment rrugor prej me shumë se tre kilometrash, i shkatërruar pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij duke u krijuar vështirësi të mëdha në aktivitetin e përditshëm teksa kanë theksuar se amortizimi i automjeteve është një kosto e shtuar për xhepat e tyre.
Sipas banoreve kjo rrugë nuk njeh investim që nga viti 1994 duke i penguar se tepërmi në përditshmërinë e tyre, ndërsa kane theksuar se pavarësisht neglizhencës së investimeve, braktisja e fshatit nuk ka ndodhur.Patosi- Fshat numëron rreth 1800 banore të cilët vuajnë jo vetëm mungesën e infrastrukturës, por edhe një sërë shërbimesh te tjera si mungesa e kanalizimeve të ujerave të zeza, e dritave, e rrugëve për të shkuar te tokat e tyre etj. Përballë kësaj neglizhence shumëvjeçare për investime dhe premtimeve boshe, banoret apelojnë për ndërhyrje të shpejtë për rikonstruksionin e kësaj rruge bazike për komunitetin e tyre dhe realizimin e investimeve te munguara.