Kandidatja për deputete në Elbasan nga Nisma Thurje, Rudina Hajdari, e ka dënuar incidentin e sotëm në këtë qytet.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hajdari thotë se dhuna sot në Elbasan  ishte dëshmi  e qartë e degradimit të kësaj klase politike.

Sipas Hajdarit, qytetarët  në 25 prill nuk duhet të zgjedhin mes bandave, por të zgjedhin ide që konkurrojnë nëpërmjet debatit publik dhe konstruktiv.

Hajdari: Përplasja e dhunshme sot, mes militantëve të PS e PD në Elbasan, është pasqyra më e qartë e degradimit të kësaj klase politike e cila nuk ka më ide por vetëm muskuj. Teksa qytetarët kishin dalë për të shijuar ditën e verës, bandat politike e shndërruan qytetin në fushëbetejë duke prishur gjithë atmosferën dhe duke shkaktuar panik.

Fushata elektorale nuk mund të jetë garë muskujsh, sharjesh, grushtash apo armësh, por garë idesh dhe projektesh mbi të ardhmen e njerëzve. Qytetarët nuk mund të zgjedhin mes dy bandave por duhet të zgjedhin mes ideve që konkurrojnë nëpërmjet debatit publik dhe konstruktiv.

Koha ta mbyllim këtë kapitull të shëmtuar dhe të shohim nga e ardhmja. Në 25 Prill mos i voto më bandat.

Ora news