Në ditën e 116 të luftës në Ukrainë, vijojnë përleshjet e ashpra mes trupave vendase dhe atyre ruse, të spostuara prej javësh në lindje të vendit.

Mbrëmjen e së shtunës, tre raketa të forcave ruse shkatërruan një tjetër depozitë të madhe karburantesh në Novomoskovsk, duke plagosur 3 persona dhe shkaktuar një dëm shumë të madh.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut e konsideron situatën si tepër të vështirë. Sipas tij, trupat ruse po bombardojnë 24 orë pa ndaluar, duke e bërë të pamundur evakuimin e civilëve, apo furnizimin e tyre me ushqime dhe ujë.

Megjithatë guvernatori Sergiy Gaiday i mohon lajmet që ushtria pushtuese ka marrë kontrollin e Severodonetsk. Zyrtari i lartë raporton se rezistenca ukrainase është në ballë të luftës dhe se shumë shpejt do të nisë një kundër ofensivë.