Sa vlen liria e Elon Musk? Mund t’i vendosni një çmim? Nëse ju jo, një adoleshent e ka një shifër.

CEO i Tesla-s dhe SpaceX u përpoq të arrinte një marrëveshje me një adoleshent në Shtetet e Bashkuara i cili krijoi një “bot” në Twitter që gjurmon vendodhjen e avionit privat të Musk dhe poston përditësime të vendodhjes së tij në kohë reale. Një “bot” është një program autonom në internet ose një rrjet tjetër që mund të ndërveprojë me sistemet ose përdoruesit.

Pasi zbuloi programin @ElonJet, Musk i dërgoi një mesazh 19-vjeçarit Jack Sweeney, duke e pyetur “A mund ta heqësh këtë? Është një rrezik sigurie,” raporton Protocol.

“Po, mundem, por do t’ju kushtojë një [makinë Tesla] Model 3,” u përgjigj adoleshenti. Pasi shkëmbyen disa mesazhe, Musk i ofroi adoleshentit një marrëveshje.

“Si thua për 5 mijë dollarë për këtë llogari dhe në përgjithësi për ta bërë më të vështirë për njerëzit e çmendur që të më gjurmojnë?” shkroi Musk.

Sweeney provoi fatin dhe kërkoi 50 mijë dollarë. “Do të ishte një mbështetje e madhe për kolegjin dhe ndoshta do të më mundësonte të blija një makinë, ndoshta edhe një Model 3,” u përgjigj ai.

Musk, personi më i pasur në botë me një vlerë neto prej 269 miliardë dollarë, tha se do ta mendonte ofertën, por përfundoi duke thënë se “nuk i duket e drejtë që të paguajë” për një gjë të tillë.

Sweeney tha për Business Insider se ai zbuloi fytyrën publikisht me shpresën se negociatat do të rihapen. “Kam bërë shumë punë për këtë dhe 5 mijë dollarë nuk mjaftojnë…”, tha ai. 19-vjeçari theksoi se do ta fshinte llogarinë në këmbim të një internship-i me Musk.

Për momentin, ai nuk ka marrë ende një përgjigje. Adoleshenti nuk po ndjek vetëm Musk. Ai gjithashtu ka llogari që gjurmojnë lëvizjet e fluturimit të miliarderëve të teknologjisë Jeff Bezos dhe Bill Gates.